Tirana, pa energji elektrike dhe pa ujë

15/07/2013 00:00

Dhjetëra lagje në kryeqytet kanë mbetur për disa orë pa energji
elektrike këtë fundjavë. Aktualisht nuk ka asnjë njoftim nga autoritetet
për kufizime, ndërprerje apo defekte.

Pavarësisht kësaj qindra kryeqytetas, ndërsa janë kthyer nga plazhi apo nga pishina nuk kanë gjetur në shtëpi as drita e as ujë e kur kanë gjetur drita, depozitat e tyre kanë qenë pa ujë, pompa nuk ka funksionuar gjatë furnizimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Energjia elektrike ka munguar për disa orë në zonën e “21 Dhjetorit”, te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, në lagjen “Ali Demi”, në rrugën “Qemal Stafa”, në Kombinat, por edhe në lagjet pranë Tregut Elektrik.

Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë qenë të vazhdueshme dhe të përhershme duke nisur nga muaji qershor dhe me intensifikim në muajin korrik. Pavarësisht ankesave të qytetarëve apo bizneseve, autoritetet nuk kanë sqaruar se nëse ka probleme me remonte, me defekte, sa do të vazhdojë, cilat janë zonat problematike dhe oraret e ndërprerjeve dhe për sa kohë do të vazhdojnë.

Nga ana tjetër, probleme të mëdha kanë përfshirë kryeqytetin edhe për sa u takon ndërprerjeve të furnizimit me ujë në tre oraret e zakonshme, mëngjes, drekë dhe darkë.

Qytetarët janë të shqetësuar se si do të gjejnë zgjidhje, për të gatuar, për të bërë punët rutinë të shtëpisë, për të hapur ventilatorin për t’u freskuar dhe si do të procedohet për furnizimin me ujë, për shkak të mungesave të energjisë, nëse nuk ka drita, as pompa që tërheq ujin në katet e larta nuk mund të vihet në punë, për rrjedhojë banorët mbeten edhe pa ujë të pijshëm. Problemi i ujit të pijshëm kanë nisur gati paralel me mungesat e energjisë elektrike. Nga muaji qershor e deri tani furnizimi nuk është më i rregullt, tri herë në ditë, ndërsa lagje të tëra kanë probleme me furnizim edhe një herë në ditë. Lidhjet e paligjshme apo ndërhyrjet në rrjet, kanë përkeqësuar më tej problemin, duke lënë qindra qytetarë pa ujë. Dy muajt e fundit shumica e lagjeve të Tiranës së vjetër kanë probleme me mungesën e ujit dhe furnizimin normal në rrjet. Ndërkohë që zonat e Tiranës së Re kanë probleme me ditë të tëra në furnizimin me ujë të pijshëm. Thuajse në të gjitha zonat e Tiranës, oraret e furnizimit nuk janë më të njëjta, nga tre herë në ditë uji mbërrin në çezmë dy herë, apo në disa raste edhe njëherë në ditë. Ndërkohë që në zonën e Bathores, banorët kanë ujë vetëm një herë në ditë dhe në sasi të pakët, pa presion në shpërndarje. Konsumi i ujit në vend vijon të jetë në norma tepër të mëdha. Kryeqytetasit kanë dorëzuar dhjetëra ankesa në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe kanë kërkuar nga drejtoritë në varësi të sjellin teknikët e të kontrollojnë rrjetin për probleme, ndërhyrje, vjedhje. Kërkesa për Drejtorinë e Ujësjellës- Kanalizimeve është shtimi i presionit sidomos në zonat e quajtura pika fundore, të cilat rezultojnë problematike.

Po ashtu, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe autoritetet e shpërndarjes së energjisë elektrike duhet të bien dakord që edhe në rast të kufizimeve të energjisë apo remonteve, orari i ndërprerjes të mos jetë në kohën kur qyteti nis të furnizohet me ujë gjatë drekës apo darkës.

Top Channel