Racizmi në SHBA, reagon Obama

14/07/2013 21:40

George Zimmerman hyri në sallën e gjyqit, si i dyshuar për vrasje, e doli prej andej si njeri i lirë. 29-vjeçari, i punësuar si roje private, u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për vrasjen e të riut afro-amerikan, Trayvon Martin, 26 shkurtin e vitit të kaluar.

17-vjeçari i paarmatosur u qëllua, ndërsa ecte në rrugë me kapuçin e bluzës të ngritur mbi kokë. Martin po shkonte të blinte ëmbëlsira. Roja pretendon se ka qëlluar për vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar nga adoleshenti.

Por, mbi Zimmerman-in rëndon dyshimi se, veprimi i tij ishte diktuar nga racizmi apo edhe sjellja prej njeriu, që i pëlqen të vendosë vetë drejtësinë.

“Ju nuk keni më punë në këtë sallë gjyqi, jeni i lirë të shkoni”, ishin fjalët e gjykatësit, pasi lexoi vendimin e jurisë, rezultat i 16 orë diskutimesh. Prindërit e Trayvon-it, gjithmonë të pranishëm në seancat e deritanishme, këtë herë nuk ndodheshin në sallë.

Sipas ekspertëve, prokuroria nuk kishte mbledhur dot provat e nevojshme për të dërguar prapa hekurave, njeriun që ndoqi 17-vjeçarin e porsadalë nga një dyqan, me një pako karamelesh e nje pije në dorë, dhe e qëlloi për vdekje me armë zjarri.

Rasti i Trayvon Martin ka ngjallur debate të ashpra mbi racizmin në Shtetet e Bashkuara. Marshime spontane proteste u zhvilluan në San Francisko, Filadelfia, Chicago, Washington e Atlanta.

Drejtues të policisë dhe liderë në Sanford të Floridas, ku ndodhi ngjarja e rëndë, bënë thirrje për qetësi e vetëpërmbajtje. Për 6 javë rresht, pas vrasjes, Zimmerman qëndroi i lirë, sepse policia e Floridës nuk e vuri në pranga, çka shkaktoi indinjatë të madhe e protesta masive në këtë shtet dhe në mbarë Amerikën.

Obama, deklaratë për qetësi dhe reflektim

Presidenti Barack Obama lëshoi një deklaratë, gjatë ditës së diel, pas vendimit në gjyqin kundër George Zimmerman.

“Vdekja e Trayvon Martin ishte një tragjedi. Jo vetëm për familjen e tij, apo për ndonjërin prej komuniteteve, por për Amerikën. E di që kjo ngjarje shkaktoi pasione të fuqishme dhe, tashmë pas vendimit, e di se ato pasione mund të jenë edhe më të forta. Por, ne jemi një komb ku sundon ligji dhe juria sapo ka folur. Tani, më duhet t’i kërkoi çdo amerikani të respektojë thirrjet për refleksione me qetësi, të bëra nga 2 prindërit, që humbën fëmijën e tyre. E teksa e bëjmë këtë, duhet të pyesim vetveten nëse jemi duke bërë gjithçka për të zgjeruar rrethin e dhembshurisë dhe kominikimit në komunitetet tona. Ne duhet të pyesim vetveten, nëse jemi duke bërë gjithçka mundemi për të frenuar valën e dhunës me armë, që po merr shumë jetë njerëzish anembanë vendit tonë, ditë pas dite. Ne duhet të pyesim vetveten, si individë dhe si shoqëri, se si mund të shmangim tragjedi të tilla në të ardhmen. Si qytetarë, kjo është një detyrë dhe një punë për të gjithë ne. Kjo është e vetmja mënyrë, se si të nderojmë Trayvon Martin”, lexohej në deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel