Festa kombëtare e Francës

14/07/2013 17:40

Franca festoi Ditën e Bastijes me marshimin tradicional në “Champs Elysees” dhe spektaklin ajror të avionëve, që lënë shenja në qiellin e Parisit me tym në ngjyrat e flamurit francez: të kuqe, të bardhë e blu.

Të ftuar nderi, këtë vit, ishin Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, presidenti i Malit, Traore, dhe ai kroat, Ivo Josipovic.

Trupa të ushtrive të Malit e Kroacisë marshuan në qendër të kryeqytetit francez, përkrah mijëra pjesëtarëve të Forcave të Armatosura franceze. “Show” gjigant përfundoi me zbritjen e disa parashutistëve në “Place de la Concorde”.

Parada e përvitshme u errësua disi këtë herë, nga aksidenti i rëndë hekurudhor, që mori 6 jetë njerëzish. 14 korriku festohet në Francë si dita e çlirimit të burgut të Bastijes dhe fillimi i Revolucionit francez.

Por, në historinë e këtij përvjetori krenar republikan ka një kthesë të çuditshme. Sipas historianëve, në fakt, francezët pa e kuptuar, prej kaq kohësh, mund të kenë festuar praktikisht jo marrjen e Bastijes në 1789-n, por një ngjarje të ndodhur 14 korrikun e një viti më vonë, “la Fete de la Federation”.

Ata pretendojnë se data u caktua asokohe për të kremtuar, jo një ngjarje të dhunshme, siç ishte mësymja e Bastijes, por paqen dhe pajtimin. Që nga sulmi mbi burgun famëkeq, Parisi kishte qenë një qytet i shpresës e Revolucioni po kalonte nëpër një fazë optimiste.

14 korriku 1790 ishte një festë e madhe purifikimi moral, e si e tillë u kremtua me paradën e delegacioneve të rojës së porsa krijuar kombëtare nga e gjithë Franca, që marshuan në Paris nën kryesimin e markezit “de Lafayette”.

Top Channel