
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, kundërshton futjen në ngërç të procesit të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
Ndërsa ky term është lakuar ditët e fundit me argumentimin e bazuar në nenin 145 të Kodit Zgjedhor se kolegji duhet të kthejë kërkesat ankimore për vendimmarrje të detyruar në KQZ dhe ky i fundit në mungesë të 5 anëtarëve nuk mund ta kryejë një procedurë të tillë, Celibashi kundërargumenton duke iu referuar po këtij neni.
“Situata në të cilën jemi është e tillë: është miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit për një qark të caktuar. Kundër këtij vendimi të KQZ-së mund të ankohesh në KQZ, por KQZ-ja nuk merr dot vendim për mungesë kuorumi. Atëherë, subjekti zgjedhor i drejtohet Kolegjit Zgjedhor dhe ky Kolegj e shqyrton vetë çështjen sepse nuk është nga ato rastet që e kthen pas në KQZ për vendimmarrje. Këtë e përcakton neni 145”, sqaron Celibashi.
Ilirian Celibashi deklaron se KQZ-ja mori një vendim antiligjor për qarkun e Lezhës, që edhe bëri kalimin e mandatit nga koalicioni i majtë tek i djathti: “Ky ankim duhet shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor që mund t’i hyjë me themel kësaj çështjeje: krahasim tabelash, hapje kutish votimi etj. Ka të gjithë pushtetin për ta bërë këtë.”
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është dakord as me opinionin e disa njohësve të ligjit apo aktorëve të tjerë në proces se nuk është Kolegji Zgjedhor që certifikon rezultatin e zgjedhjeve: “Edhe nëse KQZ-ja do të ishte e plotësuar nga pikëpamja numerike, për çështje të caktuara shkohet sërish tek Kolegji Zgjedhor.”
Top Channel