“Summer Fest” në Pogradec

13/07/2013 00:00

“Summer Fest” në edicionin e tij të dytë rikthehet në qytetin e Pogradecit me një seri aktivitetesh. Këngëtarët më të mirë për momentin me hitet e tyre, por edhe trupa e aktorëve të “Portokalli” dhe balerinët e Top Channel ishin oferta e “Summer Fest” në këtë qytet.

Aktivitetet e “Summer Fest” nisën me panaire dhe shumë muzikë që në orët e para të ditës. Ky event u bë edhe një pikë kulmore e sezonit turistik në Pogradec, që nisi me vonesë për shkak të motit dhe fushatës elektorale.

Sheshi ku të premten në mbrëmje performuan artistët u mbush plot nga banorët e qytetit të Pogradecit si dhe turistët që po kalojnë pushimet aty.

“Është një aktivitet që nëse në vitin e parë e mbështetëm ne, tani është i kërkuar nga qytetarët dhe kam përshtypjen vit pas vit dhe “Summer Fest” do jetë në Pogradec edhe vitin tjetër edhe vitet që vijnë”, tha Artan Shkëmbi, kryetar i Bashkisë së Pogradecit.

“Është një gjë shumë e bukur që po ndodh sepse Top Channel është prezent në të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë vitit me programacionin e tij, por me “Summer Fest” vijmë edhe fizikisht. I gjithë stafi, këngëtarët dhe gjithë artistët e Top Channel, dhe është një kënaqësi për ne që ndajmë me popullin e Pogradecit, por edhe qytete të tjera, këto emocione kaq të bukur”, deklaroi regjisori, Ergys Lubonja.

Vetë artistët janë shprehur të entuziazmuar nga pritja e ngrohtë e publikut. Rrugëtimi “Summer Fest” nëpër Shqipëri vijon, dhe javës që vjen stacioni tjetër është në qytetin e Durrësit.

Top Channel