Sërish protesta në Turqi

13/07/2013 00:00

Megjithëse është ulur ndjeshëm intensiteti, protestat në Turqi vazhdojnë ende. Qindra protestues dolën në rrugët e Ankarasë dhe Antakyas mbrëmjen e së premtes.

Në Ankara protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të policisë në Kizialy, një ndër zonat qendrore të kryeqytetit. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë-hedhës. Protesta u shpërnda me forcë, ndërsa autoritetet raportuan të plagosur si nga radhët e protestuesve ashtu edhe nga radhët e forcave të rendit.

Edhe në Antakya, në jug-lindje të vendit u regjistruan përleshje të ashpra mes protestuesve dhe policisë. Sipas njoftimeve nga mediat turke, gjithcka nisi pas funeralit të një të riu, që kishte gjetur vdekjen në protestat e mëhershme.

Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmangen tubimet e dhunshme, të cilat disa herë kanë thënë se nuk do t’i tolerojnë.

Në fund të muajit të kaluar Turqia u përfshi nga një valë protestash masive, që nisën si një indinjatë kundër planeve urbanistike për qendrën e Stambollit dhe u përshkallëzuan në kërkesa, deri edhe në dorëheqjen e Erdogan.

Protestat zgjatën për ditë me radhë, ndërsa kryeministri Erdogan u takua me përfaqësues të protestuesve. Palët janë ende në bisedime mbi gjetjen e një zgjidhjeje për planin e urbanizimit të Parkut Gezi, që protestuesit mbrojnë duke thënë se është ndër të paktat hapësira publike në Stamboll.

Top Channel