Irak, 33 të vdekur gjatë lojës së Ramazanit

13/07/2013 02:00

Të paktën 33 të vdekur dhe 26 të plagosur është bilanci i shpërthimit të një bombe, mbrëmjen e së premtes, brenda një dyqani kafeje, ku klientët ishin duke luajtur një lojë popullore gjatë Ramazanit, në Kirkuk të Irakut, bëri të ditur policia.

Shpërthimi ndodhi në një kafene të quajtur “Classic”, që ndodhet në zonën Ëahed Hozyran të Kirkuk, rreth 240 km në veri të Bagdadit, ku një kamikaz me një jelek shpërthyes hodhi veten në erë, sipas policisë.

Klientët ishin duke luajtur një lojë tepër të përhapur mes irakianëve përgjatë muajit të Ramazanit, në të cilën pjesëmarrësit duhet të gjejnë se në cilin grusht (dorë e mbledhur) fshihej një unazë e vogël. Loja, e quajtur Mahaibes, luhet zakonisht gjatë mbrëmjeve, kur muslimanët shfrytëzojnë pushimin ditor gjatë agjërimit një mujor.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:00 të së premtes, me orën lokale. Qyteti Kirkuk, i përzierë etnikisht, është një nga zonat e debatuara të pretenduara nga qeveria qendrore e Irakut, si dhe nga qeveria rajonale e etnisë kurde.

Ekstremistët sunitë, përfshi edhe grupe të al-Qaeda-s, kanë ndërmarrë sulme të ngjashme përpara Ramazanit, por ende asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë shpërthim.

Top Channel