Tragjedi hekurudhore në Francë

12/07/2013 00:00

Të paktën gjashtë persona humbën jetën, pas përplasjes së një treni në Bretigny-sur-Orge, në jug të Parisit.

Treni u nis nga Parisi drejt Limoges, kur ai doli nga shinat dhe u përplas me një platformë të stacionit në orën 17:14. Shumë pasagjerë mbetën të bllokuar, ndërsa zyrtarët lokalë flasin për shumë viktima.

Presidenti i Francës, Fransua Holond mbërriti në vendngjarje dhe zhvilloi një mbledhje me zyrtarët e emergjencave.

Ministri i Brendshëm, Manuel Vals, tha se 6 persona kanë vdekur, 26 të tjerë kanë mbetur të plagosur, 9 prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa 17 të tjerë me plagë të lehta. Disa prej të plagosurve u dërguan me helikopter në spital.

“Pashë një vagon, që u përmbys në tokë në të djathtë, ja kjo ana këtu. Mbërritën menjëherë zjarrfikës dhe policë. Më pas, pashë mbërritjen e një helikopteri”.

Kryebashkiaku i Bretigny-sur-Orge dhe deputeti i zonës, Mishel Pouzol, tha se katër prej vagonëve janë përmbysur pas përplasjes. Ai tha se shërbimet e emergjencës po i përgjigjen alarmit të kuq, që aktivizohet kur priten shumë viktima.

Një burim i policisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se, treni me 385 pasagjerë u përplas me shpejtësi dhe u nda në dy pjesë, njëra që vazhdoi të ecte, ndërsa vagonët e shkëputur u përmbysën.

Giljelm Pepi, kreu i kompanisë së Hekurudhave SNCF, e përshkroi aksidentin si “katastrofë” dhe tha se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Transportit po hetojnë gjithashtu ngjarjen.

Top Channel