SHBA, kritika Kinës e Egjiptit

12/07/2013 02:30

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se janë “të zhgënjyera” nga Kina, për shkak se dështoi në ndalimin e analistit të arratisur të inteligjencës, Edward Snowden.

Pas bisedimeve me zyrtarë kinezë, zëvendës/Sekretari i Shtetit, Edward Burns tha se veprimet e Pekinit “minuan” besimin në marrëdhëniet bilaterale.

Këshilltari shtetëror kinez, Yang Jiechi, tha se Hong Kongu, i cili lejoi Snowden-in të largohej për në Rusi, veproi sipas ligjeve të territorit të vet. Grindja për çështjen Snowden ka tensionuar marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kinës.

Washingtoni kërkon të hetojë ish-kontraktorin e CIA-s, pas bërjes publike të mijëra dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës amerikane.

Ndërkohë, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së amerikanëve as situata e tensionuar në Egjipt.

SHBA-të i kanë kërkuar lidershipit egjiptian të ndalë arrestimet “arbitrare” ndaj anëtarëve të Vllazërisë Muslimane, duke paralajmëruar se është kundër shënjestrimit të ndonjë grupi të veçantë.

“Jeni duke punuar kundër vetvetes, nëse përpjekjet tuaja janë pro gjithpërfshirjes”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.

Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon, paralajëroi gjithashtu qëndrimin e tij kundër përjashtimit të ndonjë pale.

Turmat rivale pritet të ndeshen sërish në Kajro, të premten, pas përshkallëzimit të tensioneve me rrëzimin nga ushtria të presidentit islamik, Mohammed Morsi, javën e kaluar.

Mbështetësit e tij kërkojnë rikthimin e Morsit dhe kanë vazhduar me grumbullimet masive pranë kazermave në Kajro, ku mendohet se mbahet ish-presidenti.

Të enjten, si administrata e Obamës edhe OKB shprehën shqetësimin në lidhje me vendimin e Egjiptit për të lëshuar mandat-arreste për liderin e Vllazërisë Muslimane, së cilës i përket Morsi, si dhe 9 figurave të tjera qëndrore të kësaj lëvizjeje.

“E vetmja rrugë, sipas së cilës gjërat do të jenë të suksesshme, është nëse të gjitha palët inkurajohen dhe lejohen të marrin pjesë në vendimmarrje, ndaj dhe e kemi bërë të qartë se arrestimet arbitrare nuk përbëjnë diçka, që ne e mbështesim”, shtoi Carney.

Ndërsa Ban Ki-moon “bëri të qartë se nuk ka vend për ndëshkimin apo përjashtimin e një partie madhore apo një komuniteti në Egjipt”, nëpërmjet një telefonate me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Kamel Amr, të enjten.

Top Channel