Lezhë, vrasje për hakmarrje

12/07/2013 00:00

Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë orëve të pasdites së të premtes në fshatin Tale të Lezhës, ku një person i identifikuar si shtetasi Ludovik Ujka është vrarë me armë zjarri.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Ndërkaq, paraprakisht mësohet se vrasja mund të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi viktima është një person me preçedent të mëparshëm kriminal.

Ai ishte arrestuar më 26 janar 2006 nga forcat RENEA, pasi mbi të dhe nipinin e tij rëndonin akuza për vrasjen e shtetasve Zef Biba dhe Eleni Hoxha, vrasje këto të ndodhura më 1 shtator 2003.

Kjo ngjarje, sipas organeve hetimore, është klasifikuar si një hakmarrje për një vrasje të mëparshme, të ndodhur në 7 korrik 2003, ku mbetën të vrarë Nikolin Ujka, vëllai i Ludovik Ujkës, si dhe bashkëshortja e tij.

Në atë kohë policia ngriti dyshimet se vrasja mund të ishte kryer nga anëtarë të familjes Biba. Ludovik Ujka ishte dënuar fillimisht nga gjykata e Lezhës me 25 vite burg, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Por në vitin 2007, Gjykata e Lartë vendosi rrëzimin e dy vendimeve të mëparshme dhe rikthimin e çështjes për gjykim në shkallë të parë.

Një prej argumenteve që Gjykata e Lartë paraqiti për rrëzimin e vendimeve kishte të bënte me marrjen në pyetje të një dëshmitareje për të faktuar nëse dritat e makinës nga ku kishin dalë autorët e krimit ishin të ndezura apo jo.

Top Channel