Irlandë, Parlamenti aprovon ligjin për abort

12/07/2013 04:20

Ligjvënësit në Republikën e Irlandës kanë votuar pro legalizimit të abortit, nën kushte të caktuara, për herë të parë në histori, pas një debati maratonë.

Me një votim 127-31 në favor të abortit, në Dail (Dhoma e Ulët), ata mbështetën lejimin e aborteve, kur doktorët verifikojnë se një grua është duke rrezikuar jetën e saj. Debati shfaqi ndasitë e thella, në një vend ku predominojnë katolikët.

Kundërshtarët e projektligjit, i cili ende kërkon aprovimin e Dhomës së Lartë, thanë se ai mund të çojë në përhapjen e skajshme të abortit. Disa të tjerë argumentojnë se projektligji është shumë i limituar, pasi nuk lejon ndalimin e shtatzanive në rastet e përdhunimit apo inçestit, apo kur ka një anomali apo keqformim të fetusit. Ai nuk lejon këtë veprim, as kur fetusi nuk mund të mbijetojë jashtë mitrës.

Aktivistët anti-abort thanë se projektligji do të lejojë vrasjen e qëllimshme të një foshnje të palindur, për herë të parë në Irlandë. Për ta, kjo nuk është thjesht një çështje fetare, por një çështje e të drejtave të njeriut, pasi besojnë se gjatë një shtatzanie, nëna dhe fetusi kanë të njëjtat të drejta për të jetuar.

1. Mbështetës dhe 2. aktivistë anti-abort, në Republikën e Irlandës

Top Channel