Brazil, grevë 1-ditore e sindikatave

12/07/2013 02:55

Dhjetra mijëra punëtorë nga të gjitha anët e Brazilit janë bashkuar me grevën 1-ditore të organizuar nga sindikatat më të mëdha tregtare të vendit.

Portet kryesore dhe disa autostrada u bllokuan, shumë shkolla dhe banka qëndruan të mbyllura dhe turma të mëdha marshuan në Rio de Janeiro dhe Sao Paulo. Sindikatat kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbime më të mira publike.

Turmat ishin më të vogla, se sa ato në protestat e muajit të kaluar, të cilat zbritën në sheshe mbi 1 milion njerëz. Demonstratat e qershorit u nxitën nga rritja e tarifave të transportit, por shumë shpejt përfshinë edhe çështje të tjera.

Disa nga ankesat kishin të bënin me kostot e organizimit të Kupës së Botës, korrupsionin dhe kërkesat për shëndetësi, edukim dhe transport më të mirë. “Dita Kombëtare e Betejave”, siç u quajt ky organizim nga sindikatat, përfshiu të paktën 10 shtete braziliane, gjatë së enjtes.

Aktivitetet në portet më të rëndësishme të Brazilit, si Santosi dhe Itaguai (në jug) dhe Suape (në veri-lindje), u ndalën nga grevistët që në orët e para të mëngjesit.

Në shumë qytete, greva e punëtorëve të autobusëve dhe metrove e kthyen transportin publik në një gjendje bllokimi, mes tyre theksohen Porto Alegre, Salvador dhe Belo Horizonte.

Në qytetin më të madh të Brazilit, Sao Paulo, një turmë prej afro 4000 personash bllokuan sërish sheshin e famshëm Avenida Paulista.

Top Channel