
Nëpërmjet deputetes së zgjedhur Milena Harito, PS bëri publike të dhënat e deritanishme pas nismës së kryeministrit të ardhshëm Edi Rama i cili ftoi të gjithë ata që mund t’i bashkohen skuadrës së re qeverisëse të vendit, për të dërguar CV-të e tyre.
“Apelit të kryeministrit të zgjedhur për të shprehur online interesin për t’u provuar për skuadrën e re për Shqipërinë, i janë përgjigjur deri tani 5280 persona, 2383 femra dhe 2897 meshkuj. Kjo është një përgjigje ngazëllyese qytetare për projektin tonë afatgjatë të krijimit të bankës së të dhënave mbi kapitalin njerëzor të Shqipërisë”, tha Harito.
Duke theksuar se ky nuk është një premtim për punë zonja Harito tha se po punohet për t’i sistemuar aplikimet sipas kategorive profesionale, sipas shkallëve të eksperiencës, si edhe për të përgatitur kalimin në fazën e dytë, ku të gjithë aplikantët do të marrin informacion prej nesh.
“Përmes kësaj baze të dhënash do të bëhet e mundur që në konkurset për vendet vakante ose të reja në sektorin publik të ketë shumë më tepër kandidatë, duke i bërë konkurset plotësisht të hapura për këdo që ka interes të provohet. Kjo është një rrugë për t’i dhënë fund praktikave të errëta tradicionale larg syve dhe vëmendjes së publikut. Jemi angazhuar që çdo njeriu të zot dhe të gatshëm për të kontribuar për ndërtimin e Shqipërisë Europiane në sektorin publik, t’i japim mundësinë të provohet e të angazhohet sipas meritës. Këtë sapo kemi filluar të bëjmë”, shtoi zonja Harito.
Sipas Milena Haritos kjo bazë të dhënash do të jetë një mundësi e re edhe për sektorin privat që të kërkojë njerëzit e duhur duke u informuar në këtë rrjet të ri për vende të reja pune.
“Aplikimet vazhdojnë dhe ne inkurajojmë këdo që dëshiron të mos ngurrojë. Është një nismë e re dhe një praktikë e re shumë bashkëkohore, të cilën do ta përsosim rrugës vetëm së bashku”, tha ajo.
Top Channel