Vatikani ashpërson kodin penal

11/07/2013 19:35

Papa Françesku aprovoi shtrëngimin e ligjeve të brendshme të Vatikanit mbi të gjithë ata përfaqësues të kishës që dyshohet se përfshihen në skandale pedofilie.

Me dekret papnor, tashmë përcaktimi i krimit kundër të miturve do të përfshijë edhe abuzimin seksual.

Më parë gjatë vitit, Papa Françesku tha se do të ishte një përparësi e punës së tij që të pastrojë emrin e kishës nga skandalet seksuale në të cilat është përfshirë.

Me dekretin e tij, rritet aftësia ligjore e Vatikanit për të bashkëpunuar me autoritetet ligjore të shteteve në luftën kundër krimeve me natyrë jo vetëm seksuale, por edhe financiare e ato që lidhen me thyerjen e sekretit.

Këto ndryshime ndodhin pasi papati i paraardhësit të tij, Benedikti XVI, u godit rëndë në besueshmëri nga dy skandale të tjera, ai i parregullsive në funksionimin e Bankës së Vatikanit dhe nga publikimi i disa dokumenteve sekrete prej ndihmësit të Benediktit.

Në të shkuarën, Selia e Shenjtë është kritikuar ashpër për fshehtësinë me të cilën ka vepruar gjatë funksionimin e saj dhe dekreti që do të rrisë bashkëpunimin me autoritetet vendase ku do të ndodhin shkelje të mundshme përbën një ndryshim madhor në mënyrën se si Vatikani ka administruar skandalet në të shkuarën.

Top Channel