San Francisko, avioni u evakuua me vonesë

11/07/2013 00:00

Evakuimi i avionit të linjës “Asiana”, që u rrëzua të shtunën në San Francisko, u vonua për shkak se pilotët fillimisht u thanë pasagjerëve që të qendronin ulur.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtare sigurie. Evakuimi filloi 90 sekonda pasi avioni ndaloi në pistë, vetëm pasi një asistent i fluturimit vuri re zjarrin jashtë mjetit, saktësoi zyrtarja.

Ajo e cilësoi mungesën e urdhërit të evakuimit të menjëhershëm si “të pazakontë”. Nga përplasja dy pasagjerë humbën jetën dhe 180 të tjerë u plagosën.

Në një konferencë për shtyp ditën e mërkurë, kryetarja e Bordit të Sigurisë Kombëtare të Transportit, Deborah Hersman tha se pilotët ishin në kontakt me kontrollorët e trafikut ajror në sekondat pasi avioni u përplas dhe u thanë asistentëve që të mos u urdhëronin pasagjerëve evakuimin.

“Duket paksa e pazakontë që ekuipazhi nuk njoftoi urdhërin e evakuimit pasi avioni u përplas. Ne ende nuk e dimë se çfarë po mendonin pilotët”, deklaroi zonja Hersman.

Ajo konfirmoi gjithashtu se disa nga komardaret e evakuimit ishin fryrë brenda avionit dhe jo jashtë, duke plagosur një asistente fluturimi dhe duke bllokuar rrugën e daljes së pasagjerëve.

Është zbuluar se piloti që drejtonte avionin po e ulte atë për herë të parë në aeroportin e San Franciskos, ashtu si dhe piloti-instruktor që ishte pranë tij.

Top Channel