Elizabeth M. Claffey është një artiste e re amerikane e cila ka udhëtuar nëpër Shqipëri vitin e kaluar, duke dokumentuar me kamerën e saj jetën shqiptare.
20 prej fotove të saj, të përzgjedhura për tu ekspozuar në Galerinë Zeta në kryeqytet, servirin për publikun këndvështrimin artistik të autores mbi eksperiencën e saj në vendin tonë.
“Unë besoj tek rrëfimi i ngjarjeve dhe lidhja që krijohet vizualisht. Mendoj që sidomos sot, kur çdo gjë zhvillohet me hapa të shpejtë, interesi im në fotografi është të ngadalësoj hapin duke u marrë me subjektet e mia. Kështu, jo vetëm të krijoj një histori mes nesh e cila më pasuron jetën, por edhe të respektoj eksperiencën e tyre jetësore. Cdo eksperiencë multikulturore do të jetë komplekse dhe shumëdimensionale, kjo është natyrisht si një lloj dritareje në eksperiencën time shqiptare”, shprehet Elizabeth M. Claffey.
Imazhet e saj servirin një hetim vizual në kulturën bashkëkohore shqiptare, duke pasqyruar individë, peisazhe dhe sende të cilat sipas saj janë pjesë e pandashme e një ekzistence njerëzore sa të ngjashme aq edhe të ndryshme nga ajo e vendit të saj.
Si artiste, Elizabeth M.Claffey punon me një sërë mediumesh nga fotografia te instalacionet dhe punët konceptuale. Ekspozita e saj mund të vizitohet nga artdashësit deri në datën 17 korrik.
Top Channel