Mëhilli: Po përgatitet fshesa ndaj administratës

11/07/2013 00:00

Zëdhënësja e kryeministrit Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se po përgatit atë që ajo e quajti “fshesë ndaj administratës”.

Erla Mëhilli tha se me projketin për aplikimin online, që Partia Socialiste ka nisur prej pak ditësh, synohet jo vetëm kontrolli i punonjësve të administratës, por edhe ai i tregut privat.

“Është tejet e rrezikshme për tregun e punës ideja se listat me aplikantët e partisë do përdoren jo vetëm për fshesë në administratën publike, por për fshesë partiake edhe për të punësuarit në sektorin privat. Zoti Rama pretendon se me aplikantët e partisë, të rekomanduarit e saj, do të furnizojë sektorin privat për të plotësuar vendet e punës. Pra ai dëshmon se do të bëjë cdo gjë për të kontrolluar nga selia mavi tregun e punës”, tha Mëhilli.

Zëdhënësja e kryeministrit në detyrë tha shtoi se me këto hapa po dëshmohet instalimi i regjimit të partisë-shtet dhe kontrollit partiak ndaj punësimit në administratën publike dhe sektorin privat.

Të njëjtën deklaratë kryeministri Berisha e bëri edhe në profilin e tij zyrtar në Facebook. Në një status të publikuar aty, ai flet për atë që e quan “revansh të paparë të selisë mavi”.

“Të dashur miq, në selinë mavi revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z.Rama njofton se konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t’i hapur ato ai ka vendosur që çdo njëri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS. Por siç thotë fjala e urtë, oreksi vjen duke ngrënë. Zoti Rama njoftoi se fshesa e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili se shpëjti do të “ndihmohet” me aplikantët e “virtutshem” online të selisë së PS”, shkruan Berisha.

Top Channel