Maratona e Bostonit, i dyshuari në gjykatë

11/07/2013 00:00

I dyshuari për atentatin në maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave ndaj tij në seancën e parë gjyqësore.

Tsarnaev, 19 vjeç, përballet me 30 aktakuza për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë me dy shpërthimet e 15 prillit që vranë tre persona, përfshirë një djalë 8-vjeçar.

Ai u paraqit i prangosur dhe i veshur me tutën portokalli të burgut dhe përsëriti disa herë se nuk ishte fajtor, teksa akuzat iu lexuan në gjykatë.

Prokurori mund të insistojë për dënimin me vdekje për 17 akakuza. I dyshuari akuzohet gjithashtu për vrasjen e një personi të katërt, një oficer policie, që u qëllua për vdekje nga Tsarnaev dhe i vëllai Tamerlan në ditët pas atentatit në maratonë.

Një tjetër akuzë është ajo e shkaktimit të një aksidenti rrugor, si dhe shkarkimi nga interneti i materialeve islamike radikale, pak kohë para shpërthimit.

Persona të shumtë u mblodhën jashtë selisë së gjykatës federale të Bostonit para nisjes së procesit, në përpjekje për të zënë një vend në sallën e gjyqit për të ndjekur seancën, që zgjati vetëm 7 minuta.

Tsarnaev mbërriti me fytyrën e mbuluar dhe duart e prangosura. Dy motra të të dyshuarit ndoqën procesin, njëra prej të cilave qau me ngashërim, ndërsa tjetra mbante një fëmijë në duar.

Para se të dilte nga salla e gjyqit, i dyshuari i buzëqeshi dhe përshëndeti anëtarët e familjes së tij me një puthje në distancë.

Top Channel