
Një ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të Shkollës së Magjistraturës,
Partia Socialiste reagoi duke thënë se ky është një përpjekje skandaloze
e KLD-së për të marrë nën kontroll të gjitha hallkat e drejtësisë nga
ana e Kryeministrit të humbur.
“Ndërhyrja skandaloze e KLD-së në procesin e zgjedhjes të drejtuesit të kësaj shkolle, është një tjetër hap në tentativën për të marrë peng të gjithë hallkat e drejtësisë shqiptare.Fakt është se Shkolla e Magjistraturës është i vetmi institucion që në raportet e Komisionit Europian është nënvizuar si i pavarur, i paanshëm dhe i vendosur në luftën kundër korrupsionit.Vënia në krye të kësaj shkolle e një individi me lidhje të ngushta politike me qeverinë dhe kryeministrin që u ndëshkua në mënyrë plebishitare me votë në 23 qershor, në kushte të konfliktit të hapur të interesit, si dhe ngritja e mëtejshme në detyrë nga KLD-ja, e një sërë gjyqtarëve të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë, flet qartë për faktin se në krye të sistemit të drejtësisë po tentohet të vihet një kastë individësh, me të vetmin kriter shërbimet e kryera ndaj pushtetit të rrëzuar me votë. Askush nuk duhet të ushqejë iluzione se do të qëndrojmë duarkryq përballë uzurpimit politik të sistemit të drejtësisë apo përballë përpjekjeve të individëve të korruptuar brenda këtij sistemi të cilët mundohen e bëjnë gjithçka për të mbajtur njëri-tjetrin në karrige duke mbyllur sytë para mëkateve të tyre”, tha deputetja socialiste Ermonela Felaj.
Top Channel