Partia Socialiste paralajmëron se nuk do të mund t’i merret mandati i
Lezhës, një mandat i artë i cili i jep maxhorencës së re të gjitha
mundësitë për ndryshimet kushtetuese në muajt në vijim.

Në një intervistë për Top Channel, Damian Gjiknuri sekretar në PS-së për Çështjet Zgjedhore jep këtë koment për përcaktimin e rezultatit të qarkut Lezhë një ditë më parë nga KQZ-ja: “Vendimi i KQZ-së është i kundraligjshëm pasi nuk bazohet në nenin 123 për detyrat që ka KQZ-ja për nxjerrjen e rezultatit. Gjithçka që ndodhi dje qe një përsëritje e prishjes së rregullave të lojës, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2011.”

Sipas Gjiknurit, procedurat që janë ndjekur dhe të gjitha ato shkelje ligjore që kanë ndodhur në qarkun e Lezhës, janë tregues i problematikës së zgjedhjeve të 23 qershorit. PS, thotë ai, është duke përgatitur ankimin e saj sipas Kodit Zgjedhor në KQZ si instanca e parë e ankimimit administrativ për këtë vendim të KQZ-së edhe problematikën ligjore që ka të bëjë me zgjedhjet në Lezhë.

Por a mund KQZ-ja ta shqyrtojë këtë ankimim?

“Sipas Kodit Zgjedhor, po citoj nenin 22 pika 5, ku thuhet se mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme vetëm kur janë 5 anëtarë në rastin e shqyrtimit të kërkesave ankimore. Pra në këtë rast KQZ-ja nuk ka kompetencë dhe nuk ka kuorum për të marrë në shqyrtim ankesat e partive të ndryshme në këtë fazë të procesit. E vetmja gjë që ata mund të bëjnë është të konstatojnë pamundësinë dhe çështja t’i kalojë Kolegjit Zgjedhor. Nga pikëpamja ligjore do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të shqyrtojë në themel të gjithë problematikën zgjedhore jo vetëm për Lezhën por edhe për çdo lloj ankese që mund të kenë forca të tjera politike për procesin zgjedhor”, tha Gjiknuri.

Nëse nuk zbatohet kjo procedurë dhe KQZ-ja do të marrë një vendim përfundimtar për këtë ankimim duke mos e çar atë në Kolegjin Zgjedhor, Gjiknuri thotë se do të jemi në të njëjtën situatë kur shkelet ligji siç edhe ndodhi në 2011 kur KQZ-ja e atëhershme u përfshi në hapjen e kutive pa patur bazë ligjore.

Top Channel