Pakistan, vritet shefi i sigurisë së vendit

10/07/2013 16:05

Shefi i sigurisë së presidentit të Pakistanit, Asif Ali Zardarit u vra në një sulm me bombë në qytetin port të Karaçit, informoi “BBC” pasditen e së mërkurës.

Bilal Shaikh dhe dy shoqërues të tij mbetën të vrarë nga shpërthimi, i cili ndodhi pranë zyrës së Partisë Popullore të Pakistanit, partia e kryetarit të vendit.

Disa persona janë plagosur në këtë shpërthim.

Një prej anëtarëve më aktivë të PPP-së, Sheikh ishte përgjegjës për sigurinë e djalit të presidentit, Bilaëal Bhuto-Zardari.

Ky atentat godet shpresat e vendit me shumicë muslimane me 170 milionë banorë që të krijojë një stabilitet politik, teksa elementët më ekstremistë vazhdojnë të vendosin në shënjestër të sulmeve të tyre politikanët më të lartë të vendit.

Në vitin 2007, bashkëshortja e presidentit Zardari, ish-kryeministrja Benazir Bhuto, mbeti e vrarë gjatë një atentati të realizuar teksa ajo ishte duke zhvilluar një miting politik gjatë fushatës zgjedhore.

Pakistani është një ndër nëntë vendet e botës që zotërojnë armë bërthamore dhe konsiderohet si një “domino kyçe” për stabilitetin në Azinë Jug-Qëndrore.

Top Channel