Letonia i bashkohet Euros

10/07/2013 00:00

Letonia është vendi i 18-të që i bashkohet zonës së monedhës së përbashkët, Euro. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ish-republika sovjetike do të heqë dorë nga monedha e saj, lat.

Drita jeshile për Letoninë u dha ditën e martë nga Ministrat e Financës së Bashkimit Europian pas rekomandimit të dhënë më parë nga udhëheqësit e BE-së dhe Banka Qendrore Europiane.

Vendi i vogël prej rreth 2 milion banorësh, 30 përqind e të cilëve me origjinë ruse, bëhet vendi i katërt më i vogël që i bashkohet monedhës së përbashkët, duke lënë pas tij Qipron, Estoninë dhe Maltën.

Por përvec impaktit financiar dhe ekonomik, zgjerimi i Eurozonës në këto momente shihet si një vendosmëri e Brukselit për të forcuar monedhën e përbashkët, që prej vitesh lundron në ujëra të turbullta, aq sa shpesh është vënë në diskutim edhe vetë ekzistenca e saj.

Kujtojmë protestat e fuqishme që tronditën Greqinë për shkak të krizës së borxheve, kriza që preku Spanjën, Portugalinë, Italinë, Irlandën e së fundmi edhe Francën, ekonomia e dytë më e madhe e monedhës Euro, e cila pas më shumë se 40 vitesh rritje, ra zyrtarisht në recesion.

Top Channel