Japoni, vdes nga kanceri heroi i Fukushimës

10/07/2013 15:35

Drejtori i përgjithshëm i centralit bërthamor të Fukushimës, që rrezikoi të shndërrohet në një Çernobil të dytë pas tërmetit e tsunamit shkatërrimtar të marsit 2011, u nda nga jeta ditën e mërkurë në moshën 58-vjeçare.

Masao Yoshida kishte fituar statusin e një heroi kombëtar, pasi ai refuzoi të largohej nga impianti dhe drejtoi personalisht përpjekjet për të vendosur nën kontroll reaktorët e dëmtuar bërthamorë, pavarësisht ekspozimit ndaj rrezatimeve.

Yoshida ndërroi jetë në një spital të Tokios, si rrjedhojë e një kanceri të pakurueshëm në ezofag.

Sipas mediave japoneze, kanceri ka një lidhje direkte me ekspozimin ndaj valëve radioaktive, edhe pse zyrtarisht diçka e tillë nuk është pranuar.

Ish-kryeministri Naoto Kan, në detyrë në momentin e katastrofës, në një deklaratë e konsideroi Yoshidën si një “njeri me vlera dhe vyrtyte të pakrahasueshme”, ndërsa theksoi se “lidershipi dhe vendosmëria e tij i kurseu vendit një tragjedi edhe më të madhe”.

Falenderime dhe nderime zyrtare Yoshida mori edhe prej Tokios zyrtare.

Impianti bërthamor i Fukushimës, i pajisur me gjashtë reaktorë, rrezikoi një shpërthim të plotë si rrjedhojë e dëmtimeve të pësuara nga dallgët e tsunamit që ngriti tërmeti i magnitudës 9.1 sipas shkallës riechter, një prej më të fuqishmëve që është regjistruar ndonjëherë në kohët moderne.

Megjithatë, ekspertët japonezë arritën të vendosnin nën kontroll centralin, edhe pse nuk shmnagën dot tërësisht rrjedhjen radioaktive, bilanci i të cilës në jetë njerëzore nuk është plotësisht i qartë.

Top Channel