Sokol Olldashi, kandidati për kryetarin e PD-së, tashmë e ka nxjerrë qartë në pah kundërshtinë e tij për aleancat me partitë e majta dhe me individë të spektrit të majtë, duke nënkuptuar kundërshtinë e përfshirjes së 3 ish-socialistëve në listat për deputet të Partisë Demokratike.

“Përmirësimi i parë që duhet të bëjmë është përcaktimi rigoroz i konturit politik. Kjo do të thotë që pasi u faktua që aleanca me një forcë politike të spektrit të majtë është e pasuksesshme dhe inproduktive, ne duhet të përcaktojmë njëherë e mirë që nuk mundet që Partia Demokratike të bëjë Aleancë me parti të spektrit kundërshtar dhe as me individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mundet të krijojë shumica, në bazë të kleringut të deputetëve. Kjo nuk është më politikë, kjo është aritmetikë. Partia Demokratike është parti e qëndrës së djathtë dhe bën koalicione brenda këtij formacioni të saj politike”, deklaroi Olldashi.

Këto deklarata, Olldashi i bëri gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, në kuadër të takimeve përpara zgjedhjeve për kryetarin e PD-së. Më herët gjatë ditës, Sokol Olldashi nga Puka e Fushë Arrëzi deklaroi se mekanizimi i përgjegjësisë i vendosur nga Berisha duhet të shtrihet në të gjitha strukturat e PD-së.

“Berisha vendosi një mekanizëm përgjegjësie, vendosi një standard të ri në PD. Ne duhet patjetër që këtë standard ta shtrijmë në të gjitha institucionet e PD-së. Nuk mund të ketë më grupe pune të palëvizshme, nuk mund të ketë deputetë të palëvizshëm, nuk mund të ketë ministra të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetarë degësh të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetar seksioni të palëvizshëm. Secili prej piramidës së partisë, nga i pari tek më i fundit, duhet të jetë përgjegjës për rezultatin e tij. More rezultat pozitiv, konfirmohesh. More rezultat negative, hap krahun”, nënvizoi Olldashi.

Ndërkaq, kandidati tjetër Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij para demokratëve të Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës. Basha edhe një herë është shprehur i vendosur në aksionin politik të PD, për t’u përballur me pushimet kolektive nga puna që paralajmëron Edi Rama, me hapjen e konkurseve për të punësuar militantët e mazhorancës së re.

“Ne jemi Shqipëria e ëndrrave evropiane dhe në çdo hap tonin e faktuam këtë. Ata janë Shqipëria e pazareve, trillimeve, e mashtrimeve, vetëgjykojnë në masë administratën, kërcënojnë me pushime masive dhe hapin konkurse online për të punësuar militantët e tyre. Ky është mentalitet neo-bllokmeni dhe ne do t’i gjendemi përballë që në orën e parë”, ka deklaruar Basha.

Lulzim Basha ka bërë një paraqitje të të gjitha sfidave me të cilat ai është përballur dhe ku ka dalë fitimtar në këto vite. “Unë vij sot para jush me një lidhje të fortë me bazën demokrate, lidhjen e përmbushjes së çdo detyre që ju më keni ngarkuar. Më ngarkuat një nga zonat e vështira elektorale, në 2005 dhe e fitova. Më ngarkuat qarkun e Elbasanit, nga ku vinim me dy mandate. Arrita të kthehem në Tiranë me rezultatin historik dhe të paparë më parë, 7 mandate prej Elbasanit dhe në 2011 më ngarkuat përballjen direkte me kryesocialistin, të cilin e munda dhe e nxora në opozitë”, ka theksuar Basha.

E në fund të fjalës së tij, Basha ka paralajmëruar reagim të fuqishëm ndaj kërcënuesve të përfaqësuesit të PD në KQZ, Njazi Kosovrasti.“Këta njerëz që njohin vetëm gjuhën e krimit dhe praktikat e krimit duhet të dinë sot se nuk na kanë trembur në kohën tonë më të vështirë, nuk na trembin as sot. Ndaj u bëj thirrje t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë nga kërcënimet ndaj përfaqësuesve tanë ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate”, shtoi Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA