Dorëhiqet Jean-Claude Juncker

10/07/2013 23:30

Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, që drejtoi qeverinë e vendit prej vitit 1995, paraqiti dorëheqjen, pas një skandali përgjimi.

Parlamenti i vendit iu referua një raporti të mërkurën, i cili bënte fjalë për disa raste abuzimi nga agjencia e sigurisë së vendit SREL, e cila mbikqyret nga kryeministri.

Aty përfshiheshin akuzat për përgjim të politikanëve, blerje të makinave private, apo pagesa në këmbim të aksesit te zyrtarët lokalë.

“Shërbimi sekret nuk është përparësia ime”, – tha Juncker në Parlament, gjatë një fjalimi, që zgjati dy orë.

Partia e Punëtorëve Socialistë të Luksemburgut, në koalicion qeverisës, i kërkoi kryeministrit të marrë përgjegjësinë dhe t’i hapet rruga zgjedhjeve të reja.

Nuk është ende e qartë nëse Juncker, që ka mbajtur edhe postin e kreut të Eurozonës gjatë viteve 2005-2013, do të garojë në zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen brenda tre muajve.

Të enjten, ai pritet t’ia paraqesë dorëheqjen Dukës së Madh të Luksemburgut.

Gjyqi ndaj Dzhokhar Tsarnaev
SHBA, i akuzuari për sulmet e Bostonit deklaroi se nuk është fajtor

I dyshuari i sulmit me bomba, në Maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, u vetëquajt i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, në përballjen e parë me trupin gjykues.

Mbi 19-vjeçarin rëndojnë 30 akuza për përdorim të armëve të shkatërrimit në masë, në sulmin e 15 prillit, ku humbën jetën tre persona, mes të cilëve edhe një djalë 8-vjeçar, dhe mbi 260 të tjerë u plagosën.

Ai u shfaq me kostumin portokalli të të burgosurit, në një sallë ku ndodheshin shumë prej pjesëmarrësve në Maratonën e Bostonit.

Prokurorët pritet të kërkojnë dënimin e tij me vdekje.

Situata në Egjipt, arrestime
Mandat-arresti për udhëheqësin e Vllazërisë Muslimane

Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit lëshoi një mandat-arresti për udhëheqësin e “Vllazërisë Muslimane”, Mohamed Badie, dhe nëntë zyrtarëve të tjerë.

Badie akuzohet për “nxitje dhune” në Kajro, të hënën, kur humbën jetën mbi 50 persona.

Të paktën 200 anëtarë të “Vllazërisë Muslimane” janë ndaluar, për të paktën 15 ditë, në varësi të hetimeve për akuzat; vrasje, nxitje të dhunës, mbajtje të armëve pa leje dhe prishje të rendit publik.

Ndërsa, të paktën 450 të tjerë janë lënë të lirë me kusht. Ka raportime kontradiktore për ngjarjet e së hënës në Egjipt dhe autoritetet e përkohshme akuzohen për maskimin e ngjarjeve.

Krahu politik i lëvizjes “Partia për Liri dhe Drejtësi” deklaroi se nuk do të pranojë ofertën për t’iu bashkuar qeverisë së re të kryeministrit të përkohshëm, 76-vjeçarit Hazem al-Beblawi.

Top Channel