Çeki, presidenti betohet mes krizës politike

10/07/2013 15:45

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, u betua ndërsa në vend mbretëron një situatë e paqartë, si rrjedhojë e krizës politike që ka përfshirë parlamentin.

Më parë gjatë javës, kryeministri Jiri Rusnok zëvendësoi Petr Necas, i dorëhequr në qershor për shkak të një skandali korrupsioni që goditi qeverinë e tij.

Megjithatë, ekzistojnë dyshime serioze nëse qeveria e re e përbërë prej teknokratësh do të fitojë votbesimin e nevojshëm brenda 30 ditësh, përpara se Zeman të jetë i detyruar të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, kritikët janë treguar tepër të ashpër edhe me Zeman, të cilin e kanë akuzuar se po tenton të zgjerojë pushtetin e tij në kurriz të Parlamentit.

Gjithashtu, me sy kritik është parë edhe përbërja e kabinetit të ri, që përfshin 14 meshkuj dhe vetëm një grua.

Kriza politike në Republikën Çeke vjen në një moment aspak të përshtatshëm politik, ndërsa vendi është i goditur nga kriza e Eurozonës dhe po përpiqet me shumë mundime që t’i rikthehet rritjes ekonomike.

Top Channel