Dhjetëra banorë serbë në veri të Mitrovicës kanë bllokuar të martën në
mëngjes rrugën për në thellësi të lagjes “Kroi i Vitakut”, duke penguar
kështu vazhdimin e punimeve për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve që
kishte filluar dje.

Sipas agjencisë së lajmeve “Kosovapress”, punëtorët e kompanisë që kishte për detyrë ndërtimin e këtyre shtëpive janë kthyer mbrapsht dhe punimet janë ndërprerë.

Situata në këto momente është e qetë, ndërsa nëpër pika të caktuara vërehen forca të shtuara të KFOR-it, Policisë së Kosovës, por edhe të serbëve.

Muajin e kaluar serbët e pjesës veriore të Mitrovicës larguan barrikadat në magjistralen Mitrovicë-Zveçan, të vendosura që prej përshkallëzimit të krizës në këtë pjesë të Kosovës, në korrik të vitit 2011. Por mesa duket tensionet e kanë të vështirë të ulen.

Barrikadat ishin të vendosura në disa lokacione përgjatë magjistrales, nga dalja e Mitrovicës e deri në Zveçan, dhe punëtorët pastruan dhe punuan në riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrugës.

Vendimin për largimin e këtyre pengesave e komentuan përfaqësuesit e komunës paralele të Mitrovicës, kryetari i të cilës, Dragisha Vllaskoviç tha se arsyeja e zhbërjes së tyre ishte se rrezikonin trafikun dhe se janë bërë jofunksionale.

Top Channel