Raporti: Pakistani dështoi me Bin Laden-in

09/07/2013 02:50

Paaftësia dhe neglizhenca lejuan Osama bin Laden-in të jetonte në Pakistan i pazbuluar për afro 1 dekadë, bën të ditur një raport i rrjedhur i qeverisë.

Një version i raportit, të zbuluar nga al-Jazeera, thotë se vrasja e Bin Laden nga forcat amerikane ishte një “akt kriminal vrasës”, i urdhëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ai zbulon gjithashtu detaje mbi vendndodhjen dhe jetën e përditshme të ish-liderit të al-Qaeda-s, pasi ishte larguar nga Afganistani në 2001-shin. Bin Laden u vra nga forcat amerikane në Pakistanin veri-perëndimor, në maj 2011.

Dyshimet e amerikanëve mbi vendndodhjen e Bin Laden ishin hedhur poshtë disa herë nga Pakistani. Gjithsesi, zbulimi i tij në një kompleks në Abbottabad dhe vrasja pasuese në një operacion të “Navy Seal” (marinsave amerikanë) krijuan një tendosje të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Pakistanit.

Vetëm pak pas sulmit, parlamenti i Pakistanit bëri thirrje për një hetim të paanshëm ndaj Komisionit të Abbottabad-it, për të kuptuar nëse dështimi i qeverisë ishte për shkak të paaftësisë, apo bashkëpunimit me al-Qaeda-n.

Komisioni u autorizua gjithashtu për hetimin e dështimit të shërbimeve të inteligjencës pakistaneze, për të mësuar mbi aktivitetin e CIA-s në vendin e tyre, në prag të sulmit, i cili “kulmoi me poshtërimin tërësisht të shmangshëm të popullit pakistanez”.

Në të dhënat e tij, raporti e përshkruan mungesën e zbulimit si “sindrom të implozionit të qeverisë”. Dokumentet kritikojnë ashpër qeverinë dhe ushtrinë e Pakistanit, duke i përshkruar si “neglizhencë fajësuese dhe paaftësi pothuajse në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

Raporti shpreh gjithashtu edhe kritika të rënda ndaj sulmit të “Navy Seal” në Abbottabad, duke e përshkruar atë si një “akt amerikan lufte” dhe “poshtërimin më të madh” të Pakistanit, që prej shkëputjes së Pakistanit Lindor, në 1971.

Top Channel