OSBE publikon një raporton për trafikun e organeve, një nga format më pak të trajtuara deri më tani.
Dokumenti u paraqit nga Maria Grazia Xhan-Marinaro, përfaqësuesja speciale dhe koordinatorja për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore në OSBE.
Raporti, i pari që mbështetet në një analizë cilësore të rasteve, konfirmon se shumë vende anëtare të OSBE-së janë prekur nga kjo formë e trafikut.
Në paragrafin, ku përmendet vendi ynë, thuhet se 6 prej vendeve anëtare të OSBE-së kishin shprehur shqetësim, se shtetasit e tyre kishin udhëtuar jashtë për të dhuruar organe, në mënyrë të paligshme.
Përveç Shqipërisë, renditen gjithashtu Belgjika, Kroacia, Qipro, Franca dhe Britania e Madhe.
Në përgjigjen e tyre të detajuar, këto shtete specifikojnë destinacionin e atyre që kërkojne organe; Kinën, Indinë dhe Turqinë.
“Viktimat nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin afatgjatë të heqjes së organeve, në fakt ata vuajnë pasoja afatgjata, përfshirë edhe paaftësinë për të punuar, veçanërisht sepse nuk bëjnë kujdesin e domosdoshëm pas operacionit, apo ndjekjen mjekësore dhe mbështetjen psiko-sociale. Gjithashtu, shumë shpesh, ata nuk marrin pagesat që u janë premtuar gjatë rekrutimit”, shkruhet në raport.
Raporti nënvizon gjithashtu edhe lidhjen mes heqjes së organeve dhe krimit të organizuar, rolin që luan korrupsioni në lehtësimin e heqjes së organeve dhe rrjetet e transplantimit, që shpesh përfshijnë administratorë apo mjekë profesionistë.
Dokumenti sugjeron gjithashtu disa hapa për të parandaluar krimin ndërkombëtar, që kryesohet nga sekserë ndërkombëtarë të lidhur me kirurgë, që kryejnë transplantet, apo rekrutues lokalë të organeve.
Top Channel