Një ditë pasi u kthye nga Brukseli ku u takua me kryeministrin serb, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë të martën ka folur pak për këtë takim.

Pothuajse të gjithë theksin e ka vënë tek deklarata që ka ardhur nga Brukseli, nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, ku thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur aftësinë e plotë operacionale dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të caktuara brenda mandatit të saj dhe standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.

Kështu ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, por që sipas tij misioni i FSK-së mbetet i njëjtë, si ka qenë gjithmonë për të kryer operacione të mbrojtjes civile dhe për të ndihmuar autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave tjera.

Kryeministri Thaçi ka uruar pjestarët e FSK-së për këtë vlerësim të NATO-s, që sipas tij hap kapitullin e avancimit të FSK-së.

“Vendimi i sotëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, është një kapitull i ri për zhvillimin e FSK-së, sepse Kosova ndan vizionin e NATO-s për një të ardhme ku Ballkani Perëndimor është i integruar në strukturat euroatlantike. Pra, është kapitulli i avancimit të FSK-së. Gjithashtu, dua të theksoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që është ndërtuar nga zeroja, duke i përmbushur standardet më të larta të NATO-s, dhe  duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e NATO-s në kuadër të FSK-së”, tha Thaçi.  

Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media ka dalë udhëheqësi politik i FSK-së, Agim Çeku. “FSK ia doli”, ka thënë ministri Çeku, sipas të cilit ky është suksesi më i madh i FSK-së deri më tani dhe se është njohje ndërkombëtare e këtij suksesi.

I pyetur nëse misioni i FSK-së, që mbetet i njëjtë, mund të paraqesë pengesë për avancimin e statusit të FSK-së në ushtri, ministri Çeku kujtoi se pas rishikimit të sektorit të sigurisë do të dalin me rekomandime dhe Qeveria e Kosovës është ajo që vendos se në çfarë drejtimi do të zhvillohen të gjitha institucionet e sigurisë.

“FSK është institucion që detyrat e veta i kryen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për FSK-në. Për çdo gjë tjetër duhet të ndryshohet Kushtetuta. Deri atëherë pa marrë parasysh këtë deklarim të përmbushjes së kapaciteteve, FSK i mbetet besnike Kushtetutës, ligjit për FSK-në dhe i kryen detyrat që janë të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë. Ne si Qeveri e Kosovës jemi duke e zhvilluar procesin e rishikimit të tërë sektorit të sigurisë dhe në një kohë të caktuar kur ky proces të përfundojë ne do të dalim me rekomandime para Qeverisë dhe është ajo që vendos se çfarë drejtimi do të zhvillohen të gjitha institucionet e sigurisë”, tha Çeku.

Ministri Çeku nuk ka dashur të komentojë deklaratën e ditëve më parë të Sekretarit të NATO-s, Rasmussen, i cili ka thënë se nuk ka dëgjuar nga autoritetet në Prishtinë se e duan FSK-në ushtri, vetëm ka thënë se janë në procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë dhe se ky proces, sipas tij pritet të përfundojë deri nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Top Channel