Greqia siguron këstin e radhës

09/07/2013 03:25

Greqia ka kaluar një tjetër pengesë, sa i përket programit të shpëtimit, duke siguruar këstin e radhës të fondeve, që janë duke mbajtur vendin gjallë.

Paratë, në shumën e 6,8 miliard eurove, do të jepen nga Trojka e Komisionit Europian, Banka Qendrore e Europës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Megjithatë, sipas tyre, programi i reformave të Greqisë është duke ecur shumë ngadalë. Trojka shtoi se perspektiva ekonomike e vendit mbetet ende e paqartë.

Ministrat e Financave të Eurozonës, të mbledhur në Bruksel, thanë se 2,5 miliardë euro do të jepen nga fondi i shpëtimit të eurozonës, ndërsa 1,5 miliardë euro nga BQE-ja.

Pagesat priten të bëhen këtë muaj, ndërkohë që 500 milionë euro të tjera nga fondi i shpëtimit dhe 500 nga BQE do të jepen më pas, në tetor. Pas këtyre do të zhbllokohet shuma prej 1,8 miliardë euro e FMN-së, duke e çuar shumën në total në 6,8 miliardë euro.

Huadhënia është e kushtëzuar ndaj Greqisë, me progresin e programit të reformave, pasi kreditorët kanë paralajmëruar se ai është mbrapa planit, veçanërisht sa i përket privatizimit të aseteve shtetërore.

Top Channel