“Gërdeci” qipriot, burgoset ish-ministri i Mbrojtjes

09/07/2013 20:05

Ish-ministri i Mbrojtjes në Qipro, Costas Papacostas u shpall fajtor për vrasje të shumëfishtë nëpërmjet neglizhencës, për shkak të shpërthimeve të ndodhura në disa magazine ushtarake që i morën jetën 13 personave në vitin 2011.

Gjykata e Nikosias vendosi se ministri ishte direkt përgjegjës për mosrespektimin e rregullores mbi garantimin e kushteve të sigurisë së municioneve të vendosura në një bazë detare në Zygi, pasi ishin konfiskuar si një ngarkesë e jashtëligjshme nga një anije iraniane.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Marcos Kyprianou dhe një i pandehur tjetër u shpallën të pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tyre.

Shpërthimi i vitit 2011 shkaktoi një dëm masiv në komunitetin e vendosur përreth tij, ndërsa shkatërruan edhe termocentralin më të madh në vend, duke krijuar një problem në furnizimin e energjisë.

Shpërthimi përfshiu 98 kontenierë të mbushur me barut, të konfiskuar në 2009-n dhe të mbajtur jashtë kushteve të sigurisë në port.

Ministri u shpall fajtor për vrasje të shumëfishtë nëpërmjet neglizhencës në detyrë, pasi ai ishte përgjegjësi kryesor që duhet të garantonte sigurinë e kontenierëve.

Tashmë pritet vendimi i gjykatës për kohëzgjatjen e dënimit, por Papacostas rrezikon disa vite heqje lirie.

Top Channel