Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton fillon të
martën turin ballkanik, në kuadër të të cilit do të qëndrojë në Beograd
dhe Prishtinë.

Ashton arrin gjatë së martës në Beograd, ku pritet të takohet me presidentin Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiç.

Sipas një njoftimi të BE-së, në Prishtinë shefja e diplomacisë evropiane do të qëndrojë gjatë së mërkurës, ku do të takohet me zyrtarët analogë të Kosovës.

Mbrëmjen e së hënës kryeministrat Thaçi dhe Daçiç përfunduan raundin e trembëdhjetë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Zonja Ashton, nëpërmjet një komunikate për shtyp tha se në të u diskutua rëndësia thelbësore e “vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes në javët dhe muajt që vijnë”, ndërsa u shpreh e kënaqur me përkushtimin e dy kryeministrave.

Në komunikatë thuhej se: “Tekstet e marrëveshjes për telekomunikacionin dhe energjinë janë pothuajse të përfunduar. Diskutimet do të vazhdojnë në ditët që vijnë, gjatë udhëtimit në Beograd dhe Prishtinë”.

Ashton u shpreh e kënaqur për këto vizita, pas vendimeve historike të Këshillit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Serbinë dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Top Channel