Qindra punonjës të policisë bashkiake nga gjithë Greqia kanë braktisur të hënën punën dhe kanë marshuar në qendër të Athinës dhe Selanikut, duke protestuar ndaj reformave qeveritare që i çojnë ata drejt humbjes së vendit të punës në muajt e ardhshëm.

Qeveria greke u ka deklaruar orët e fundit ekspertëve të trojkës se do të zbatojë një reformë të gjerë për reduktimin e administratës shtetërore, duke transferuar ose duke pushuar nga puna më shumë se 12.500 nënpunës brenda këtij viti.

Ata që do të paguhen me 60% të rrogës së tyre për 8 muaj dhe më pas do të hidhen në rrugë do të jenë 2.200 roje të shkollave, 3.500 mësues, 3.500 nënpunës të policisë bashkiake, 2.000 nënpunes të ministrive, 1.250 nënpunës nga 30 bashki të vendit që kanë probleme ekonomike. Po kaq do të pushohen nga puna edhe përgjatë vitit 2014.

“Nuk do të pranojmë një gjë kaq të padrejtë, kaq antikushtetuese dhe kaq të dhunshme për të na larguar nga punët tona duke shkelur dinjitetin tonë. Besoj se mesazhi ynë është i kuptueshëm”, ka deklaruar Alexandros Apostolopulos nga policia bashkiake e Athinës.

Protestat zhvillohen ndërsa në Bruksel ministrat e eurogrupit vendosin për të dhënë dritën jeshile për këstin e radhës të Greqisë, prej 8.1 miliardë euro, kur shqyrtohet dhe një opsion që ky këst të jepet në pjesë më të vogla, derisa Athina të kryejë plotësisht reformat e kërkuara.

“Ne gjithmonë mund të japim këtë ndihmë në këste të ndryshme, por vetëm nëse kjo është e nevojshme, nëse kjo është e dobishme. Ne do ta shohim këtë në bazë të raportit që do të na paraqesë Trojka, kështu që unë do t’ju them më shumë deri sa të kemi përfunduar bisedimet”, ka deklaruar presidenti i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Megjithëse ekspertët e Trojkës kanë deklaruar se perspektiva ekonomike e Greqisë është në përputhje me planin e paraqitur të reformave dhe masave të kursimit, ata kanë shtuar se situata financiare e vendit mbetet ende e paqartë.

Pavarësisht se papunësia ka arritur në 27%, qeveria greke shpreson se me masat që po merr do të plotësojë kërkesat e kreditorëve për të bërë të mundur vazhdimësinë e ndihmave dhe për të siguruar sufiçit primar në të ardhurat e shtetit, por njëkohësisht zemërimi nga vala e shkurtimeve të reja nga puna dhe taksat tepër të larta që parashikohen për vitet në vazhdim sa vjen dhe rritet.

Top Channel