Greqia është më pranë marrjes së këstit të radhës së dorëzanisë madhore, që prej vitit 2011 shpëton financat helene nga falimentimi.

Donatorët e fqinjit tonë jugor, Komisioni Europian, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar lajmëruan këtë të hënë se kanë përfunduar misionin e tyre të kontrollimit të të dhënave mbi reformat e Athinës zyrtare e pritet që të aprovojnë huanë në ditët në vazhdim.

Në raportin e “trojkës” shkruhej se zhvillimet në Greqi janë në përputhje me planin e paraqitur të kursimeve, edhe pse situata financiare greke mbetet ende e paqartë.

Ministrat e financave të Eurozonës do të jenë ata që do të duhet të japin aprovimin përfundimtar për dorëzimin e kredisë prej 6,3 miliardë eurosh.

Për të përfunduar këtë ndihmë të re, Parlamenti Grek e pa veten të detyruar të shkurtonte 4 mijë vende të tjera pune në administratë dhe të mbyllte Televizionin Shtetëror.

Aktualisht, Greqia ka një normë papunësie prej 27%, që arrin deri në 55% tek grupmosha 18-25 vjeç.

Top Channel