Zona industriale, dy Koretë arrijnë konsensus

07/07/2013 13:20

Korea e Veriut dhe ajo e Jugut arritën në parim një marrëveshje për rihapjen e zonës industriale të Kaesongut, raportuan mediat ndërkombëtare ditën e dielë.

Marrëveshja u arrit në një takim në nivel të lartë zyrtarësh, të mbajtur në zonën e çmilitarizuar të Panmunjonit, në kufirin midis dy koreve.

Puna në kompleksin e përbashkët, të vendosur pranë kufirit, por në anën e Koresë komuniste është ndërprerë që prej prillit, si rrjedhojë e tensioneve mes dy shteteve, pas realizimit të një testi bërthamor të paautorizuar prej Penianit në shkurt.

Disa tentiva të mëparshme për rihapjen e kompleksit kishin dështuar, kryesisht për shkak të problemeve teknike.

Një burim prej qindra milionë dollarësh të ardhurash në vit, Kaesongu është i vetmi vend në Korenë e Veriut ku lejohet biznesi privat, si dhe i vetmi burim fitimi i monedhës së huaj, tepër të domosdoshme për sigurimin e importeve jetike, përballë pamundësisë për të paguar me uonin vendas, tejet të zhvlerësuar dhe të pakëmbyeshëm jashtë vendit.

Për kompanitë koreanojugore, kompleksi është një mënyrë e shkëlqyer e shfrytëzimit të një krahu tepër të lirë pune, me pagat e punëtorëve koreanoveriorë që variojnë midis 50-70 dollarë, nga 2000-3000 dollarë që paguhet mesatarisht një punëtor në jug.

Top Channel