Rama: Na pret një sfidë e madhe

07/07/2013 19:40

Nga Vlora, qytet i cili i besoi mandatin e deputetit, Edi Rama, duke i falënderuar për këtë besim, tha se fitorja e 23 qershorit ka një kuptim shumë të qartë, njerëzit nuk votuan për të hequr disa dhe për të vendosur disa, njerëzit votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë.

Dy muaj nga koha, kur ai do të marrë drejtimin e qeverisë, Edi Rama paralajmëroi se sfida e jashtëzakonshme, që i kanë ngarkuar 1 milion shqiptarët me votën e tyre, nuk do të jetë e lehtë.

“Pas vetëm dy muajsh, ne do të fillojmë punën me qeverinë e re, për t’u përballur me një realitet aspak të gëzueshëm të rrënimit të gjithanshëm të Shqipërisë, të rrënimit të gjithanshëm të jetës ekonomike, shoqërore e demokratike të vendit. Të rrënimit të gjithanshëm të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ne nuk mund ta përballojmë këtë, as thjesht me një kryeministër dhe as vetëm me një qeveri, ne mund ta përballojmë këtë me një skuadër të re për Shqipërinë, që duhet të përfshijë të gjithë, në të gjitha nivelet, me pasionin, vullnetin dhe durimin e jashtëzakonshëm, për t’i kapërcyer një e nga një, të gjitha pengesat e mëdha që kemi përpara”, u shpreh Rama.

Kundërshtari ynë na ka bërë një dhuratë shumë të çmuar, na ka lënë në tavolinë një libër të trashë e të mbushur me gabimet e tij – deklaroi Rama. – Nëse ne do të jemi të duruar dhe të vëmendshëm t’i lexojmë të gjitha ato gabime – theksoi ai, – dhe nëse ne do të jemi të zotët, që të mos i përsërisim ato gabime, qoftë edhe me kaq, Shqipëria do të jetë ndryshe. Unë vërtet kam detyrën të drejtoj qeverinë e vendit – tha Rama, – por nuk do ta harroj për asnjë çast, se kam detyrën të jem edhe deputet i Vlorës.

“Dhe, duke besuar te forca e shembullit dhe jo te shembulli i forcës, si deputet i Vlorës, unë do të kem zyrën e deputetit këtu në Vlorë dhe do të mbaj kontakte të vazhdueshme me qytetarët e Vlorës, me ata që na kanë votuar dhe ata që nuk na kanë votuar, duke besuar se të gjithë deputetët e skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, që në 9 shtator do të hyjnë në sallën e Parlamentit, nuk do ta harrojnë për asnjë çast se kush i ka çuar në atë sallë dhe të gjithë do të vazhdojnë ta mbajnë të hapur zyrën e tyre, në çdo zonë kujdestarie, për t’u kujdesur për ata njerëz, që në këtë fushatë, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, na kanë shtuar jetën me energjitë e jashtëzakonshme pozitive, që na kanë dhënë”, përfundoi Rama.

Top Channel