Përplaset në pistë avioni korean

07/07/2013 00:00

Një avion “Boeing 777”, i kompanisë koreano-jugore “Asiana Airlines”, me 307 pasagjerë, u përplas në aeroportin e San Fraciskos, në SHBA, në momentin e uljes dhe u përfshi nga flakët.

Të paktën 2 vajza, me nënshtetësi kineze, humbën jetën, 182 të tjerë u plagosën, 49 prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa 123 të tjerë, për fat, nuk pësuan asnjë dëmtim. Pasagjerët, që udhëtonin me “Boeing 777” ishin kinezë, koreano-jugorë dhe amerikanë.

Dinamika e aksidentit mbetet ende e paqartë. Ajo që shihet nga pamjet e filmuara është shkëputja e bishtit të avionit nga trupi i tij. Kompania koreano-jugore shpjegoi se shkaku nuk ka qenë ndonjë problem teknik, por pa mundur të konfirmojë nëse ishte një “gabim njerëzor” i pilotit.

Disa burime të medias raportuan se piloti kishte kërkuar një ulje emergjente, por këto lajme nuk kanë gjetur një konfirmim zyrtar.

CNN publikoi regjistrimin e dialogut prej pak sekondash, mes pilotit dhe kullës së kontrollit, fill pas aksidentit, ku dëgjohet operatori, i cili thotë: Mjetet e emergjencës do të mbërrijnë aty menjëherë”.

Sipas raportimeve të para, avioni iu afrua shumë shpejt pistës dhe goditi fillimisht barrierën e aeroportit. Dëshmitarët treguan se pati një problem në manovrën për uljen e avionit.

Shumë prej pasagjerëve u shndërruan në raportuesit e parë të ngjarjes, përmes rrjeteve sociale. David Eun, një prej drejtuesve të kompanisë “Samsung”, që ishte në bord, shkruante në Twitter: “Sapo u përplasëm, bishti i avionit u shkëput. Pjesa më e madhe janë mirë. Edhe unë”.

Autoritetet a aviacionit civil të SHBA-ve kanë dhënë pak detaje deri tani, ndërsa aeroporti i San Fraciskos është mbyllur, si dhe rrugët që ndodhen pranë tij. Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar, në SHBA, dërgoi një ekip për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, kushtet e motit ishin optimale.

Drejtuesja e Facebook-ut, Sheril Sandberg, shkruajti në rrjetin social se ajo, në minutën e fundit zgjodhi një avion të “United Airlines” dhe la avionin e “Asiana Airlines”.

 

Top Channel