Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Guvernatori i Iowa-s së SHBA-ve, Terry Branstad, të dielën, vunë firmat e tyre në marrëveshjen për partneritet për shtetet simotra, ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.

Përveç bashkëpunimit prej kohësh, ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të këtij shteti, tani të dy vendet do të mund të bashkëpunojnë edhe në fushat e tjera si në ekonomi, bujqësi, kulturë, e të tjera.

“Marrëveshja e partneritetit për shtetet simotra, që e nënshkruam sot, ka një rëndësi të veçantë, pasi krijon mundësi të reja për shkëmbim të eksperiencave dhe përvojave ndërmjet dy vendeve tona, mundësi për zhvillim në fushën ekonomike, në fushën e kulturës, të drejtësisë dhe të edukimit”, u shpreh Jahjaga.

“Ky program i ka dhënë shumë shteteve mundësi, që të përfitojnë përvoja, të marrin ndihmë në krijimin e institucioneve demokratike; zhvillimi i ekonomisë të rigjenerohet, si dhe bashkëpunimi mes agjencioneve. Shteti i Iowa-s është krenar, që ka një shtet mik si Kosova, që mund të bashkëpunojë përtej detit si në ekonomi, kulturë, turizëm, bujqësi, sigurim publik, sigurim shëndetësor, transport publik, burime natyrore dhe zhvillim ekonomik. Dhe ne i gëzohemi bashkëpunimit në të ardhmen dhe shkëmbimit të përvojave mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s”, deklaroi Terry Branstad, Guvernator i Iowa-s.

Guvernatori i Iowa-s, ka folur edhe për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shihet se është arritur një marrëveshje paqësore, shumë pozitive për tërë rajonin dhe është një shembull i mirë, se si paqja mund të arrihet mes “armiqve” për kohë të gjatë, ka thënë Branstad, i cili ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës për këtë gjë.

Ndryshe, Garda Kombëtare e Shtetit të Iowa-s ka një bashkëpunim të theksuar me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në lidhje me çështjen, se ku e shohin FSK-në në të ardhmen, Ambasadorja amerikane, Tracey Jacobson, kujtoi se qeveria e Kosovës është duke rishikuar sektorin strategjik të sigurisë dhe se, shpreson që të shihen disa rezultate në fillim të vitit të ardhshëm.

Guverantori i Iowa-s, Terry Branstad, është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, ku ky i fundit ka vlerësuar lartë kontributin e shtetit të Iowa-s për Kosovën, veçanërisht duke mbështetur FSK-në.

Top Channel