Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, deklaroi se raportet me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit janë përkeqësuar, në një intervistë të dhënë për një revistë vendase dhe të përcjellë të dielën nga “Telegrafi”.
“Për sa kohë do të ketë trend rritjeje të standardeve në të gjitha sferat, do të ketë logjikë ky koalicion. Ky është misioni për ne si politikanë, reforma të vazhdueshme për të mirën e të gjithëve, pavarësisht nëse është maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, boshnjakë, vllehë ose diçka tjetër. Pavarësisht nëse është i krishterë, mysliman ose ateist”, ka theksuar kryeministri.
Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të BDI-së për gjuhën shqipe, Gruevski ka thënë se ato nuk janë të realizueshme, ndërsa ka porositur ata të përkushtohen ndaj, siç ka thënë, gjërave më thelbësore.
Thelbësore, sipas kryeministrit, do të duhej të ishte fakti se nxënësit e fillores bojkotojnë mësimin e dy gjuhëve kryesore në vend dhe jo nëse Kuvendi drejtohet në shqip ose maqedonisht apo nëse shqiptarët dëgjojnë Kuvendin me sinkronizim në shqip.
“Është një rezistencë që të dy gjuhët (shqipja dhe maqedonishtja) të mos mësohen nga klasa e parë. Nga ana tjetër, kemi një ligj që mundëson që nxënësit maqedonas të munden të mësojnë shqip si lëndë zgjedhore në shkollë, por këtë nuk e bën thuajse asnjeri. Politikanët heshtin për këtë, sepse nuk duan të humbin pikë në politikë. Pyes veten, ku na çon kjo? Nëse tani nuk jetojmë me njëri-tjetrin, por njëri pranë tjetrit, si do të jetë pas 20 ose 30 vitesh? Si do të kuptohemi atëherë? Me përkthyes ose në anglisht do të komunikojmë? Këto janë probleme thelbësore!”, ka theksuar Gruevski.
Top Channel