Sokol Olldashi, kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, ka qenë në qytetet e Fierit dhe Ballshit, nga ku analizoi humbjen e 23 qershorit.

“Të rigjejmë ato themele morale, që ne na sollën në pushtet në 2005-n. Kemi ardhur në pushtet në atë vit dhe qytetarët na besuan, sepse ne kishim një kartë të fortë morale. Kartën e duarve të pastra. U rikonfirmuam në 2009-n në pushtet, mbi bazën e një karte të fortë morale. E kemi si nevojë për ta rigjetur këtë kartë morale, ta vëmë përpara vlerësimit të qytetarëve dhe unë jam i bindur se shumica e qytetarëve shqiptarë nuk do të pranojnë, që proceset zgjedhore të jenë pazare si ky që pamë këtë radhë. Nuk do të pranojë që proceset zgjedhore të jenë shitblerje masive me paratë e vjedhura”, deklaroi Olldashi.

Më tej, zoti Olldashi ka sqaruar programin e tij për drejtimin e PD, ku strukturat dhe mirëfunksionimi i tyre do të jenë çelësi për një PD të fortë, që shumë shpejt, sipas tij, me këtë formulë do të vijë në pushtet.

Rivali tjetër, Lulzim Basha, e nisi nga Elbasani fushatën për kreun e Partisë Demokratike. Gjatë një takimi me anëtarë të Partisë, në teatrin “Skampa”, Basha shpalosi pikëpamjet e tij për rrugën, që duhet të ndjekë PD në të ardhmen.

“Ne jemi opozita shqiptare. Le ta pranojmë një orë e më parë dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Angazhimi im është, që të nisim sa më parë përgatitjet për një opozitë eficente, të strukturuar, të vendosur dhe të pakompromistë për interesin publik. Dhe kjo, duhet dhe do të bëhet në të gjitha nivelet”, deklaroi Basha.

Një pjesë të mirë të fjalimit të tij, Basha ia kushtoi akuzave ndaj mazhorancës, të cilen ai e cilësoi një mazhorancë të votave të deformuara. Zoti Basha ka vijuar fushatën edhe në qytetin e Gjirokastrës.

Top Channel