Deportohet “Escobari” i Italisë

07/07/2013 21:00

Policia italiane arrestoi një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në Europë. Roberto Pannunzi u deportua nga Kolumbia.

I njohur si “Pablo Escobar” i Italisë, ai u ndalua në një qendër tregtare në Bogota, të premten, pas një operacioni të përbashkët të autoriteteve kolumbiane dhe anti-drogës amerikane.

65-vjeçari ka organizuar transportin e gati 2 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, çdo muaj. Ai i grumbullonte paratë nga organizata të ndryshme kriminale, me pas kryente operacionet e mëdha të trafikut të drogës.

Kur u arrestua, Pannunzi u prezantua me një identitet të rremë venezuelian, si Silvano Martino. Më pak se 24 orë nga arrestimi, ai u dërgua drejt Italisë. Pannunzi u ndalua nga policia italiane në aeroportin e Fiumicinos, në Romë, të shtunën në mbrëmje.

Ai do të shlyejë një dënim me më shumë se 12 vjet burg. Roberto Saviano, gazetari investigativ, i tha AFP-së se “Pannunzi nuk është mafioz, nuk është as vrasës, por një sekser”.

Ai u burgos në Kolumbi në vitin 1994 dhe u ekstradua në Itali, ku u la i lirë pas skadimit të urdhër-ndalimit të tij. Pannunzi u riarrestua në vitin 2004 dhe më vonë u dënua.

Ai mundi të arratisej në mënyrë spektakolare, nga një spital privat në Romë, në vitin 2010, ku po kurohej për problemet në zemër. Pannunzi është një prej krerëve të “Ndrangheta”-s, organizatës kriminale me qendër në Kalabri, rajonin jugor të Italisë.

Autoritetet italiane e përshkruajnë si një prej “sindikatave më të rrezikshme dhe të pasura të krimit”, e cila lë mbrapa mafian siçiliane.

Top Channel