SHBA dhe OKB, shqetësim për Egjiptin

06/07/2013 14:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara shprehën shqetësim për dhunën në të cilën degraduan protestat e ditës së premte në Egjipt.

Përballjet e dhunshme gjatë manifestimeve i kushtuan jetën 30 personave, ndërsa qindra të tjerë u plagosën. Aktualisht, vendi është i destabilizuar nga grushti i shtetit që rrëzoi nga pushteti presidentin Mohammed Morsi, i mbështetur prej Vëllazërisë Muslimane.

Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet një deklarate, i kërkoi liderave egjiptianë që të ndikojnë për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, kërkoi që manifestimet të jenë të mbrojtur me kordonë policorë dhe të shmanget mundësia e përpalsjeve midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Morsit.

Aktualisht, presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike mbahet në gjendje arresti, ndërsa zëvendësi i tij, Khairat el-Shater u arrestua  gjithashtu gjatë të premtes, për provomimin e dhunës. Ndërkohë, kancelaritë perëndimore vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura për rrëzimin e Morsit.

Ndonëse i zgjedhur me votë, islamizimi që u përpoq t’i bënte vendit me 84 milionë banorë gjatë regjimit të tij një-vjeçar dhe protestat masive kundër tij, në një farë mënyre duket se përligjinin në sytë e Uashingtonit dhe Brukselit nevojën e ndryshimeve politike në Egjipt, edhe pse me një mënyrë jodemokratike siç është grushti i shtetit.

Top Channel