Rusi-Kinë, stërvitje e përbashkët ushtarake

06/07/2013 08:20

Kina dhe Rusia nisin të shtunën një stërvitje të përbashkët ushtarake, e përshkruar nga Pekini si më e madhja ndonjëherë me një partner të huaj.

Ushtrimet, të cilat do të zhvillohen në Detin e Japonisë do të zgjasin deri në datën 12 korrik.

Gjenerali i Ushtrisë Popullore Kineze, Fang Fenghui deklaroi përpara nisjes së simulimeve luftarake se “ato nuk kërcënojnë asnjë palë të tretë, por vetëm synojnë që të rrisin bashkëpunimin dhe të forcojnë partneritetin me Federatën Ruse”.

Megjithatë, pavarësisht “qëllimeve të mira” të deklaruara nga Pekini, këto stërvitje nuk janë parë mirë nga fqinjët rajonalë, përfshi Japoninë dhe Filipinet, pasi do të mbahen në një rajon në të cilin Kina ka pretendime territoriale për një seri ishujsh.

Në vitet e fundit, Kina është përplasur me Tokion mbi përkatësinë e ishujve Senkaku, në Detin e Kinës Lindore dhe me Manilën, për një seri ishujsh në Detin e Kinës Jugore.

Kina dhe Rusia, dy vende me kapacitete bërthamore zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake që prej vitit 2005, ndonëse stërvitjet detare për herë të parë u mbajtën në 2012-n.

Top Channel