Përgjimet, Franca qetëson qytetarët

06/07/2013 00:00

Pas skandalit të përgjimeve në Shtetet e Bashkuara, shqetësimi se qeveria e tyre po i monitoron duket se ka përfshirë edhe qytetarët e vendeve të tjera.

Për të qetësuar opinionin, zyrtarët francezë kanë reaguar ndaj raporteve se edhe agjencitë vendase të inteligjencës kanë pasur të njëjtën mënyrë operimi, duke mohuar ekzistencën e një programi përgjimesh në Francë.

Zëdhënësi i kryeministrit Jean-Marc Ayrault i cilësoi të “pasakta” pretendimet e së përditshmes “Le Monde”. Gazeta prestigjoze pretendon se të dhënat kompjuterike dhe tabulatët e telefonatave të francezëve ruhen të gjitha në një superkompjuter, i cili ndodhet në zyrat e shërbimit të jashtëm sekret DGSE.

Programi operon “jashte ligjit” dhe mund të përdoret nga të gjitha agjencitë e brendshme, pretendon “Le Monde”. Ka mjaft shërbime që kryejnë operacione monitorimi për arsye sigurie, sqaroi një zyrtar i kabinetit të kryeministrit, i cituar nga “France Presse”.

Por qasja në informacionet e përftuara mund të bëhet vetëm me leje të kreut të qeverisë, nëse ai vendos të japë dritën jeshile duke u këshilluar më parë me Komisionin kombëtar të kontrollit të përgjimeve.

“Le Monde” këmbëngul se nevojitet një verifikim parlamentar dhe gjyqësor me qëllim që të frenohet fuqia e jashtëzakonshme e qeverisë mbi jetën private të individit.

Në artikullin e saj, gazeta citon burime të inteligjencës që preferojnë të ruajnë anonimatin, të cilët insistojnë se të gjitha komunikimet brenda Francës, por edhe ato me vendet e tjera, janë në monitorim.

Top Channel