Kolumbi, arrestohet “Escobari italian”

06/07/2013 00:00

Autoritetet kolumbiane e kanë cilësuar si “Pablo Escobar-in italian” dhe janë shprehur të gatshme për ta dëbuar menjëherë nga vendi. Bëhet fjalë për Roberto Pannunzi, bos i mafias kalabreze, i cili është arrestuar mëngjesin e së shtunës në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.

Arrestimi i tij ka entuziazmuar institucionet kolumbiane, me Ministrinë e Mbrojtjes që ka njoftuar në Twitter: “Ishte trafikanti më i kërkuar në vend dhe në Evropë”.

Autoritetet kolumbiane u njoftuan për praninë e tij nga kolegët italianë dhe në momentin e arrestimit bosi ndodhej në një qendër tregtare. Ai fillimisht është prezantuar me një identitet tjetër, por policia ka pasur informacione të sigurta.

2-3 tonelata kokainë në muaj drejt Evropës

Autoritetet kolumbiane kanë zbuluar një aks të ri të narkotrafikut nga Amerika Latine në Evropë. Trafikantët e nxjerrin drogën nga vendi me motoskafë drejt Amerikës Qendrore ose Ekuadorit dhe pastaj udhëtimi vijon me konteinerë drejt Spanjës e më pas mbërrin në Itali.

“Është importuesi më i madh i kokainës në botë. Dimë që organizonte blerje prej 2-3 mijë kologramë në muaj dhe i eksportonte në Evropë”, e ka komentuar ndërkohë lajmin prokurori kalabrez, Nicola Gratteri, duke shtuar se për lokalizimin e Pannunzi-t u angazhuan një seri seksionesh speciale policore.

1 milion dollarë kesh në këmbim të lirisë

Bosi ishte arrestuar edhe njëherë në vitin 1994 në Kolumbi, në Medelin, qyteti i njohur si bastioni i Escobari-t të vërtetë, dhe agjentëve që po i vinin prangat u ofroi 1 milion dollarë kesh në këmbim të lirisë.

Autoritetet thonë se ai ishte kthyer në interlokutorin e preferuar të prodhuesve kolumbianë të kokainës, me kontakte edhe tek mafia siçiliane me familje të lidhura me bosin e njohur Bernando Provenzano.

Top Channel