Hungaria kritikon BE-në: Nuk nënshtrohemi

06/07/2013 08:30

Parlamenti i Hungarisë kritikoi ashpër Bashkimin Europian, i cili aprovoi një raport të Komisionit Europian, që kërkonte sanksione ndaj Budapestit për shkak të dhunimit sistematik të të drejtave të njeriut brenda vendit.

Në fjalën e tij, kryeministri Viktor Orban tha se “Parlamenti Europian mori një vendim të stilit sovjetik, me një kritikë të shpallur dhe brohoritur unanimisht prej tyre”.

Në tekstin e publikuar prej ligjvënësve hungarezë, shpallej gjthashtu se “Hungaria nuk do t’i nënshtrohet presionit të Brukselit. Ne publikojmë këtë rezolutë në mbrojtje të sovranitetit dhe barazisë së hungarezëve me popujt e tjerë të Europës”.

Një vend anëtar që prej vitit 2004, historia e Budapestit me BE-në ka qenë e ndërlikuar, që prej marrjes së pushtetit prej kryeministrit Orban, i cili ka shfaqur doza të qarta euroskepticizmi dhe disa herë është vendosur në qëndër të vëmendjes për politikat e tij autoritare.

Ky reagim agresiv i Budapestit erdhi pasi më parë gjatë javës Hungaria u kritikua për standartin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë në vend.

Si rrjedhojë, Brukseli i kërkoi zyrtarisht Hungarisë që të heqë dorë menjëherë nga sjelljet anti-demokratike ose të përballet me mundësinë e sanksioneve.

Top Channel