Ish-futbollisti i kombëtares angleze të futbollit, Paul Gascoigne, tashmë do të përballet edhe me probleme ligjore, përveç problemeve të rënduara që ka me alkoolin dhe abuzimin me substancat narkotike.
46-vjeçari, në gjendje të alkoolizuar prej disa vitesh, u përpoq të sulmonte ish-gruan e tij, gjatë një takimi të ndodhur në stacionin e trenit të qytetit angleze të Stevenages.
Gascoigne u frenua në sulmin e tij nga truproja e gruas, të cilin Gaza e kapi për fyti në prezencë të shumë dëshmitarëve.
Sheryl Gascoigne nuk pësoi dëmtime, por në një moment u kap agresivisht prej ish-bashkëshortit, me të cilin ka një djalë.
Pas këtij incidenti, ish-futbollisti u thirr në një komisariat për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes, por nuk pritet të përndiqet, pasi ish-e shoqja nuk ka ngritur padi.
Sheryl, një ish-modele dhe personalitet televiziv në Britaninë e Madhe u divorcua disa vite më parë me Gascoigne pasi disa herë, në gjendje të dehur, ai kishte abuzuar fizikisht me të dhe fëmijët, djalin e tij dhe dy fëmijët e tjerë të Sheryl nga një martesë e mëparshme.
Pavarësisht divorcit, ish-bashkëshortja disa herë është interesuar për shëndetin e Gazës dhe është përpjekur që t’i qëndrojë pranë, në tentativat e vazhdueshme të dështuara të rikuperimit.
Top Channel