Portugali, kryeministi: Qeveria do të rezistojë

05/07/2013 15:45

Kryeministri i Portugalisë pretendon se ka negociuar një formulë për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij të nj koalicioni me bazë të gjerë, pasi dorëheqja e dy ministrave kyçë rrezikon të çojë vendin e zhytur në krizë financiare drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Si rrjedhojë e situatës së paqartë politike, interesi për huamarrjen, nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit me afat të mesëm apo të gjatë maturimi pësoi gjatë javës një rritje rekord për Lisbonën zyrtare.

Sipas kryeministrit Passos Coelho, ekziston një marrëveshje për të mbajtur në këmbë qeverinë, pasi për këtë është rënë dakord me partnerët e qendrës së djathtë.

Portugalisë iu akordua një dorëzani rekord prej 78 miliardë eurosh në maj 2011, me kushtin që të zbatonte një program të fortë shkurtimesh dhe reduktimi të investimeve.

Megjithatë, problemet e fundit financiare kanë vendosur në rrezik axhendën portugeze për daljen nga kjo krizë.

Përballë krizës aktuale politike dhe ekonomike, partitë e majta opozitare kërkojnë zgjedhje të parakohshme, të cilat nëse do të realizohen, në bazë të sondazheve do të sjellin një humbje të thellë të mazhorancës aktuale.

Nëse zgjedhjet do të mbahen, vetë plani i shpëtimit që Lisbona po ndjek prej më shumë se një viti do të vihej në diskutim.

Portugalia është një prej vendeve më të goditura nga kriza e Eurozonës, ndërsa prej dy vitesh njeh vetëm recesion, ndërsa ekonomia pritet të tkurret edhe me 2,3% më shumë gjatë këtij viti.

Top Channel