Egjipt, Morsi nën hetim për dhunë e vrasje

05/07/2013 02:40

Kryeprokurori i Egjiptit ka nisur një hetim, gjatë së enjtes, në lidhje me akuzat se Mohamed Morsi dhe liderët kryesorë të Vllazërisë Muslimane nxitën dhunën dhe vrasjen e protestuesve, një ditë pasi Ushtria rrëzoi presidentin e parë të vendit, të zgjedhur në rrugë demokratike.

Prokurori, gjeneral Abdel Maquid Mahmoud, lëshoi një urdhër, që ndalon Morsin dhe 35 pjesëtarë të tjerë të lëvizjes së tij, të largohen nga vendi gjatë kohës që janë nën hetim, raportuan Agjencia e Lajmeve të Lindjes së Mesme (MENA) dhe EgyNews.

Lajmi vjen vetëm pak kohë pasi Vllazëria Muslimane dhe të tjerë kanë bërë thirrje ndaj mbështetësve të Morsit, të dalin në rrugë anembanë Egjiptit për të protestuar ndaj veprimit të Ushtrisë, ndërkohë që forcat e sigurisë së Egjiptit janë vënë në lëvizje për të arrestuar liderët e Vllazërisë Muslimane, e cila mbështeste regjimin e Morsit, dhe për të ndërprerë linjat e tyre të komunikimit.

Zëdhënësi i Vllazërisë Muslimane, Gehad El-Haddad, tha për CNN se Morsi ishte fillimisht në arrest shtëpiak në selinë e Gardës Republikane presidenciale në Kajro, ndërsa më vonë u transferua në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë, ushtria nuk ka dhënë asnjë deklaratë për vendndodhjen e tij.
 
Lajmet nga MENA dhe EgyNews janë kontradiktore në lidhje me raportimet se Morsi refuzoi një ofertë nga forcat e armatosura, për t’u larguar nga Egjipti për në Katar, Turqi, ose Jemen. Gazeta shtetërore Al-Ahram raportoi të enjten se Morsi nuk do të japë dorëheqjen vullnetarisht dhe se deklarata e tij e së mërkurës, vetëm pak pas rrëzimit të tij, përfaqësonte “një sfidë flagrante ndaj autoritetit të Ushtrisë” dhe “një deklaratë konfrontimi me të”.

Një zëdhënës i partisë Liri dhe Drejtësi, të Morsit, tha se ajo që nisi si një grusht shteti ushtarak, ishte “kthyer në diçka më shumë se sa kaq”.

Top Channel